Të kesh një kafshë shtëpiake ul rrezikun e shfaqjes së demencës zbuloi një studim i ri. Kafshët shtëpiake jo vetëm që ofrojnë shoqëri, por ato gjithashtu ofrojnë stimulim mendor dhe emocional që mund të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit të trurit.
Studimi zbuloi se të mbash një kafshë në shtëpi, ul rrezikun e humbjes së kujtesës verbale. Studimi u fokusua kryesisht te të moshuarit që jetonin vetëm.
Demenca është një sëmundje që prek kujtesën, të menduarit dhe aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme. Përkeqësohet me kalimin e kohës dhe prek kryesisht të moshuarit. Demenca është shkaku i shtatë kryesor i vdekjeve në mbarë botën. Numri i njerëzve me demencë në mbarë botën pritet të rritet nga 57 milionë në 2019 në 153 milionë në 2050.
Çfarë ndodh nëse mban një kafshë në shtëpi!
Nxit aktivitetin fizik:
Shëtitja e qenit ose loja me kafshët shtëpiake mund t’i ndihmojë të moshuarit të kenë një jetë aktive fizike, duke rritur qarkullimin e gjakut në tru dhe duke përmirësuar shëndetin kardiovaskular.
Rrit mirëqenien emocionale:
Prania e kafshëve shtëpiake mund të nxisë një ndjenjë rehati dhe sigurie, veçanërisht në kohë vështirësish ose vetmie. Ndërveprimi me kafshët shtëpiake rrit prodhimin e hormoneve duke çuar në përmirësimin e humorit dhe mirëqenies mendore.
Redukton stresin dhe ankthin:
Kafshët shtëpiake kanë një aftësi unike për t’u ofruar njerëzve mbështetje emocionale dhe për të ndihmuar në zbutjen e stresit dhe ankthit të tyre. Kalimi i kohës me një kafshë shtëpiake është treguar se rrit prodhimin e oksitocinës, një hormon që lidhet me ndjenjat e mirëqenies. Rritja hormonale mund të zvogëlojë nivelet e stresit dhe ankthit, të cilët janë faktorë të njohur rreziku për zhvillimin e demencës.
Mban në punë mendjen:
Kujdesi për një kafshë shtëpiake kërkon detyra të ndryshme, të tilla si ushqimi, kujdesi dhe trajnimi, të cilat mund të ndihmojnë në ruajtjen e funksionit njohës. Aktivitetet nxisin fleksibilitetin mendor, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe kujtesën.
Krijon lidhje sociale:
Kafshët shtëpiake prej kohësh janë zbuluar se ndihmojnë personat e vetmuar. Kafshët shtëpiake mund të jenë një katalizator për lidhjet sociale, duke i inkurajuar të moshuarit të ndërveprojnë me të tjerët. Shëtitja e një qeni ose vizitimi i parqeve me kafshët shtëpiake nxit ndërveprimet sociale me të tjerët. Angazhimi i rregullt social luan një rol jetik në reduktimin e rreziqeve të demencës, pasi e mban trurin aktiv dhe kontribuon në mirëqenien e përgjithshme njohëse.
Kur kujdesen për një kafshë shtëpiake, të moshuarit kanë një arsye për t’u zgjuar në mëngjes, një rutinë për të ndjekur dhe dikë që varet prej tyre. Kjo rutinë kontribuon në mirëqenien e përgjithshme./hej.al