Në fjalimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken (o. Antony), tërhoqi vëmendjen përmendja e shqiptarëve të suksesshëm në botë. Ndër emrat ishte edhe ai i Dea Rozhanit.
Dea së bashku me dy vajza të reja shqiptare kanë krijuar një aplikacion kundër dhunës së vajzave dhe grave, një krijim i shtyrë edhe me mbështetjen e ambasadës amerikane në Shqipëri.
“GjejZa” ka kuptimin “gjej zërin tënd” dhe aplikacioni i shërben një numri të madh individësh pre të dhunës me bazë gjinore.
“Me thënë të drejtën nuk e prisja fare. Unë isha duke u bërë gati për të dhënë një provim dhe pak minuta më para babi më çoi linkun e një artikulli të publikuar në një portal. Nuk e kuptova, por vazhdova ta lexoja dhe mbeta shumë e çuditur. Pastaj m’u desh që të jepja provimin,” tha Dea e ftuar virtualisht në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH.
“GjejZa” ka fituar edhe në gara për krijimet e reja teknologjike.
“Aplikacioni ka kryesisht si audiencë gratë dhe vajzat shqiptare, është posaçërisht për Shqipërinë. Ne jemi ftuar edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit që të bëjmë prezantim te zyra për çështjet e vajzave dhe grave. Të gjithë punonjësve u pëlqye si ide dhe u prit mjaft mirë. Më pas, në konkursin në Kaliforni ishte një sukses shumë i madh, ndaj edhe gjyqtarëve u pëlqye aq shumë sa na dhanë çmimin e parë,” u shpreh studentja e re./hej.al