Nga Malvina Tare
Gra franceze që brohorasin, përqafohen dhe qajnë me lot gëzimi vendimin e të drejtës së tyre për abort të ligjshëm, gratë më të emancipuara në historinë Evropiane, e botërore, ende nuk ishin të fuqishme për të vendosur për fatin e tyre në rastin e një shtatzanie të padëshiruar.
Aborti është një temë e shumëfolur në shoqëri, që ka hasur pengesa në ballafaqimin me të dhe në diskutimin e vendosjes së rëndësisë mes gruas dhe fëmijës që mund të vijë në jetë.
Shoqëria jonë qartazi është kthyer në një shoqëri konsumi, me një ego që kapërcen kufijtë e materiales dhe kërkon një pushtet të plotë mbi veten, duke mos e lejuar atë të bier më pre e rrethanave të caktuara në jetë. E tillë është edhe jeta e një gruaje, fati riprodhues i së cilës po shihet si një “dënim”, një privim i fatit të saj në shoqërinë e emancipuar.
Vetë të bërit nënë, të ndryshon kufijtë e normales, të hedh në një botë që se kishe imagjinuar, as ishe e përgatitur dhe t’i rrugës gjen mënyrat për të mbijetuar në një realitet gjithmonë e më të vështirë.
Çfarë e bën një shtatzani të padëshiruar? Kur ajo vjen si pasojë e një abuzimi seksual, kur ajo vjen nga një person që ne nuk e duam, kur ajo vjen në kushte jo të favorshme ekonomike dhe sociale, kur ajo vjen nga një person që nuk mban përgjegjësi dhe nuk ndihmon në ardhjen e një jete të re. Po çfarë tregojnë të gjitha këto? Një papërgjegjshmëri të lartë mashkullore. Një abuzim deri në skajet më instiktive të figurës femërore dhe vetë gruas, ndaj riprodhimit dhe vazhdimësisë.
Franca, i pari vend në botë që ju dha lirinë grave me ligj, “të shpëtojnë” veten nga barra. Nga “barra” e abuzuesve, apo e papërgjegjshmërisë së grumbulluar nga ata që nuk mbështesin në ardhjen e një jete të re.
Por, a duhet ta nisim emancipimin me abortin?
Unë jam personalisht kundër citimit dhe ngritjes në maja të një termi që të jep një të drejtë, e cila përjashtuar në disa raste ekstreme, të gjithë ne e kemi në kontroll të dëshirave tona, siç është shtatzania. A bëhet kjo sepse femrat po abuzohen? Pra, bota qenka kthyer në një ferr për femrat që mbeten shtatzënë pa dëshirën e tyre? Apo bëhet për të pasur lirinë e vetes?
Ky ligj padyshim çliron shumë gra nga detyrimi për të rritur një fëmijë të vetme, pa përkrahje, pa mbështetje, pa luksin e një mashkulli për të punuar dhe jetuar pa ndjerë detyrimin moral të përkujdesit për një fëmijë.
Shoqëria dhe familja evropiane nuk ka më një standard, e ka humbur. Nuk ka më role të përcaktuara gjinore në familje. E aq më tepër nuk ka prej vitesh më dëshirën e të lënit pasardhës. Gratë sot nuk e sakrifikojnë më veten për të rritur qenie njerëzore që në të tashmen ju kushtojnë karrierën, punën, financat, studimet, të ardhmen me një bashkëshort tjetër. E ndërsa në shqipëri këto diskutime duken ende shumë të largëta.
A është kjo kostoja e të qenit “të barabarta” me burrat?