Data 8 Mars, kremtohet si dita e gruas, e qenies që sjell jetën, që krijon botën, e asaj që quhet vajzë, bijë, nënë, motër, qenies së frymës së parë e të fundit. Në mes historive frymëzuese për një ditë të shënuar si kjo, kujtojmë ato, gratë që formuan historinë, ato që krijuan një tokë, një bazë, ato që edhe sot na bëjnë bëjnë krenare. Gatë shqiptare që shkruhen me shkronja të mëdha në fletët e historisë por edhe ato që na bëjnë krenare sot nëpër botë.
Mbretëresha Teuta
Teuta e Ilirisë e njohur edhe si mbretëresha Teuta u vu në krye të shtetit ilir dhe të ushtrisë së tij pas vdekjes së të shoqit, mbretit Agron, duke mbretëruar e komanduar në vitet 230-227 p.e.s. Ajo mori pushtetin në një moment të vështirë për popujt ilirë, të cilët përballeshin me ambiciet për zgjerim të Republikës Romake.Teuta ishte një personalitet i rëndësishëm i historisë ilire. Ajo ishte një grua e zgjuar dhe largpamëse. Sundoi vetëm për tre vjet, por vepra dhe lavdia e kësaj gruaje ka triumfuar në shekuj. Për sa kohë që mbretëroi dhe komandoi, ajo luajti një rol të rëndësishëm historik në bashkimin dhe konsolidimin politiko-shtetëror, në përparimin ekonomiko-kulturor dhe në fuqishmërinë ushtarake të Ilirisë.
Nënë Tereza
Humanistja me origjinë shqiptare, ja kushtoi jetën e saj të varfërve, strehimit të fëmijëve të braktisur nëpër botë, dhe humaniste e të gjithë njerëzve që vuanin nga sëmundjet. Gonxhe Bojaxhiu është njohur si grua e vendosur, e guximshme, pragmatike dhe e mençur. Nënë Tereza e Kalkutës, është nëna e botës, por origjina e saj shqiptare, do të na bëjë krenarë përjetë.
Elena Gjika
Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste rumune me origjinë shqiptare.
Ajo njihej me pseudonimin Dora D’Istria, sepse atëherë ishte shumë i vështirë pranimi i rolit të gruas në letërsi, politikë, drejtësi, diplomaci dhe profesione që ishin pronë e mendjes mashkullore. Në kohën kur jetoi, Elena u quajt Princesha e Kulturës Evropiane.
Shote Galica
E kush nuk e njeh Shote Galicën, jehona e së cilës jeton edhe sot. Luftëtare e shquar e çetave kryengritëse të Kosovës për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare. Pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Nga masakrat e serbëve, ajo humbi 22 anëtarë të familjes. Në vitin 1927, ajo u vendos në Shqipëri, në Fushë-Krujë, vit kur edhe u nda nga jeta.
Marigo Posio
Marigo Posio është vajza shqiptare që qëndisi shqiponjën dhe flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ajo e qëndisi flamurin, duke u shënjuar si një nga gratë e rëndësishme të historisë sonë.
Sevasti Qiriazi
Sevasti Qiriazi luajti një rol të madh në arsmimin e grave. Ajo ishte nismëtarja e organizimit të arsimit shqiptar për femra dhe mori pjesë në ngritjen e shkollës së vajzave. Sevasti Qiriazi ishte gruaja e parë shqiptare që studioi në institucionin amerikan “Robert College”.
Eleni Qirici
Eleni Qirici ka qenë gruaja e parë shqiptare që aktroi në Hollywood. Ajo ishte një vajzë e bukur, me ëndrra që u bë e famshme në Hollywood dhe arriti majat e karrierës. Eleni e vinte gjithmonë në dukje faktin që ishte shqiptare.
Ikbal Çika
Ikbal Çika është gruaja e parë gazetare shqiptare dhe e para para pronare grua e revistës ekonomike-letrate “Java”. Ajo hapi rrugën për fillimet e përfshirjes së grave në të gjitha fushat e jetës dhe dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e nivelit arsimor, kulturor, emancipues për gratë.
Vaçe Zela
Vaçe Zela ka qenë dhe mbetet ikona e këngës shqiptare. Zëri i saj i jashtëzakonshëm i mbushte me energji skenat. Ajo është e vetmja femër shqiptare që është nderuar sa ishte gjallë me urdhrin “Nderi i Kombit”, për vlerat e saj si artiste e shquar.
Inva Mula
Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e operave më prestigjioze, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Disa nga pjesëmarrjet e saj më të suksesshme në operat botërore mbeten: “Meede” (1996) në Francë, “La Scara” (2001) në Itali, e shumë e shumë të tjera.
Po ashtu nuk mund të lem pa përmendur edhe sot gratë e kohëve moderne të teknologjisë dhe inovacionit siç janë Dua Lipa, Rita Ora, Mira Murati!