Djemtë e shtëpive të barit në Angli apo në Londër janë shumë dhe problemet kryesore i kanë me shëndetin. Duke qenë ilegalë ata e kanë të vështirë të futen në sistemin publik anglez dhe janë të detyruar të paguajnë në sistemin privat, që është shumë i shtrenjtë.
Një problem tjetër që ata kanë është problemi i shëndetit mendor. Kjo vjen nga paranojat që kanë, rastet që dëgjojnë të miqve apo të njohurve të tyre, kequshqyerja, stili i jetesës, flenë ditën, jetojnë natën, qëndrojnë gjatë brenda, nuk dalin dot të marrin ushqim.
Të gjitha këto bëhen bashkë duke shfaqur shqetësime të shëndetit mendor. Jo pak prej tyre i drejtohen psikologëve. Psikologia shqiptare Enertila Bekteshi në Dritare TV tregoi se çfarë bisedon me djemtë shqiptarë në Londër. Ajo thotë që janë raste konfidenciale, por pyetja që bëjnë më shpesh është “a do ia dalim”?!
“Kjo është pyetja që has më shumë. A do ia dalin ata të kthehen në Shqipëri, sepse shumica prej tyre nuk e duan këtë punë, ata duan vetëm paratë që përfitojnë. Por duke qenë djem të rinj, të pa arsimuar, nuk e dinë me çfarë sfidash do të përballen dhe nuk e kanë të qartë se çfarë i pret, por duan të përfitojnë vetëm paranë e shpejtë. Ata nuk e dinë se sa probleme do të përballojnë, ku njëri prej të cilëve është edhe problemi i shëndetit mendor”, u shpreh psikologia Bekteshi në Dritare TV./L.F-dritare.net