Gazetarja Sonila Meço është opinionistja e Ferma Vip, një personazh shumë i njohur dhe i dashur për publikun shqiptar, e cila komenton çdo të hënë dhe të premte Vipat e Fermës. Lidhur me këtë rrugëtim ajo shkruan se nuk ka ardhur në një moment të lehtë për të, por që nuk ka dashur për asnjë arsye ta humbasë, pasi ky është një format që i vlen audiencës në një kohë që gjendemi në një rrokopujë vlerash.
“Por krejt papritur ky rrugëtim më nisi me një moment shumë të vështirë familjar. Një përkeqësim i rëndë shëndeti i babit tim të mirë. Krejt e përfshirë emocionalisht dhe fizikisht në krijimin e çdo mundësie për t’i bërë çdo shërbim, me shumë dashuri e përkushtim, mu desh të vijoj edhe punën, si me Task Force-n time të përditshme, ashtu edhe me mbajtjen e premtimit për të qënë me Enkel Demin në mbrëmjet e së hënës e të premtes në duetin tonë të Fermës.
Jeta vijon dhe në lëkundjet e forta të saj, nga lartësitë e suksesit tek thellësitë e dramave merr kuptimin e plotë të saj, ëmbëlsinë e thartirën të shkartisura si në përzierjen e kripës e sheqerit për të ruajtur ushqimin nga prishja, të dyja na lejojnë t’i marrim jetës të tërë shijen.
Ndaj pranova ta vijoj këtë rrugëtim edhe në ditë të vështira për mua, duke e shijuar Fermën për atë, që është. Argëtim, shpengim, lojë e spektakël. Dhe kohët janë të helmatisura, plot ankth e vuajtje, në një krizë shoqërore e rrokopujë vlerash, me ngarendje të çmendura për të siguruar jetën dhe luftë gjer në gardhet e brishta të mbijetesës. Mu për këtë, një orë argëtim e heqje mendjeje më shumë, në një format televiziv nga ku aromat e natyrës depërtojnë lehtësisht në ambjentet nga ku ndiqet nuk ka pse të shndërrohet në “bishë” virale, si nga përmbajtja, ashtu edhe përjetimi.”,shkruan Sonila Meço./hej.al