Nga Malvina Tare
Gruaja shqiptare ka shumë pak vite që po ripersonifikon veten, imazhin e saj, po njeh veten dhe limitet e saj të tejskajshme. Në komunizëm ka pasur gra që mundoheshin të mbanin veten edhe pse në kushte të vështira dhe të ndalimit, ato përpiqeshin të rregullonin flokët këndshëm, të vishnin apo stilonin vetë rrobat e tyre me shumë kujdes, që të mos binin në syrin tinëzar të diktatit. E shumë të tjera fatkeqe ndonjëherë ju është dashur të lidhin shaminë e zisë që 25 vjeçe, sepse burrat e tyre internoheshin, burgoseshin apo arratiseshin dhe shpalleshin të vdekur nga sistemi. Këto gra, nëna që rrisnin gra të tjera, të cilave ju ndalohej martesa në kushte të ndryshme nga të tyret, vazhdonin rrugën e persekutimit dhe përvuajtjes. Megjithatë, sa i takon punës, edhe në fshatin më të largët gratë punonin sa burrat, gratë veshën pantallona, gratë u bënë inxhiniere, mësuese, studiuese.
Por në një tranzicion sistemesh, patjetër që do kemi një tranzicion vlerash dhe ndryshime rrënjësore të tyre. Gratë që kanë jetuar në internim nuk e kishin më idenë se ç’ishte liria, ç’ishte demokracia dhe as e shkonin nëpër mend se do të vinte ndonjëherë. Gratë e internuara kur demokracia erdhi nuk kishin më as zë për të folur, kishin harruar.
E megjithëse ne sot kemi shumë liri, aq shumë sa ndonjeherë edhe e shpërdorojmë, duke folur çfarë na teket. Sërish shtypjen e kemi të trashëguar. Sepse edhe gratë më të pavarura të asaj kohe kishin një inferioritet në vete që padashur e kanë kaluar te brezi pasardhës. Dhe edukata “mbaje bashkëshortin sido që të bier” është më e lashtë se vetë jeta në Shqipëri. Nuk flitej kurrësesi për tradhëti e nuk njihej divorci.
Ama ne sot nuk mund t’i edukojmë vajzat duke ju thënë: latë nam, po sa injorante, po sa debile, po e paditur, moj e mjerë… e të tjera si këto. Sot duhet folur që të kuptohesh. Dhe pa dhënë asnjë model, nuk të kupton njeri.
Vajzat e ekranit kanë pasur fatin për të qenë persona publikë në një vend të vogël dhe domosdoshmërisht ato e kanë edhe pushtetin e fjalës më të madhe. Prandaj, ta përdorin këtë pushtet siç duhet. Ta përdorin duke ndërgjegjësuar, duke edukuar, duke treguar, duke rrëfyer, duke bashkëpunuar.
Nënat dhe gratë shqiptare vijnë nga breza sakrifice. Gratë shqiptare janë ato që kanë shpëtuar vajzat e tyre duke i nxitur, të studiojnë jashtë, të marrin arsimin e duhur, të zgjedhin kushte të favorshme për jetën e tyre, apo të jenë të lira financiarisht.
Dhe kjo nuk mund të hidhet poshtë me një emision televiziv, apo duke kritikuar të ftuara, apo duke dalë kundër me fjalë fyese. Aspak.
Sepse ka nga ato gra që i kanë larguar nga porta e shkollës që 12 vjeç dhe nuk dinë më shumë nga aq.
Prandaj, edukojini këto gra, informojini. Fjala dhe komunikimi kur janë në paqe me audiencën, e ftojnë vetë atë dhe e ndryshojnë sado pak./hej.al