Adelajda Matukaj është një nga shqiptare që ka ecur para në jetë në një vend të huaj falë dëshirës së saj për dije dhe zhvillim. Sot ajo është studiuese dhe pjesë e administratës publike të Universitetit të Bolonjës, ndërsa bursat nëpër vetë të ndryshme të botës e kanë bërë që të njehet me kultura të ndryshme.
Në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Matukaj tregoi edhe një histori kur ishte me bursë në Indi, ku banorët atje e identifikonin me Nënë Terezën, kur ajo prezantohej si shqiptare.
“Dëshira për dije vjen natyrshëm, për të sfiduar veten. Doja të dija më tepër dhe të njihesha dhe me botën. Bursa ka qenë një mënyrë për t’u njohur me kultura të ndryshme dhe udhëtuar dhe njohur njerëzit me botëkuptime të ndryshme. Do veçoja udhëtimin në Indi për shkak të ndryshimit të kulturave, është totalisht botë tjetër dhe ka qenë një nga eksperiencat që kam shijuar më shumë. Kur u thoja që jam nga Shqipëria më identifikonin me Nënë Terezën. Në Indi kam qëndruar 1 muaj, ku bursa përfshinte që të isha pjesë e dy familje indiane. Sot i ruaj kontaktet me këto familje indiane”, tha ajo.
Jeta nuk ka qenë e lehtë për Adelajda Matukaj, ndërsa dyert që sot i ka të hapura në Bolonjë, nuk i gjeti kur ajo aplikoi në universitete shqiptare.
”Kam qenë duke përfunduar studimet e doktoraturës kur vëllai im ndërroi jetë dhe e kam përjetuar shumë keq. Doja shumë të kthehesha në Shqipëri dhe aplikova në universitetet këtu, por nuk u pranova. Nuk u pranova se nuk plotësoja kriteret, ruaj dhe sot mesazhet e tyre dhe më vjen të qesh, dhe kriteret i plotësova në universitetin e Bolonjës ku kam punuar me projekte të BE. Sot jam pjesë e administratës publike të Universiteti të Bolonjës”, tha ajo./rtsh