Hulumtimi, i udhëhequr nga Spitali Kitano i Institutit të Kërkimeve Mjekësore në Osaka, Japoni ka dhënë rezultate të sukseshme tek minjtë
Një lajm i ri vjen nga stomatologjia. Dhëmbët mund të dalin 3 herë. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet një ilaçi inovator i cili do të përfshijë tregun mjekësor plotësisht deri në vitin 2030. Por rezultatet bota do ti prekë më shpejt, pasi provat klinike janë planifikuar të fillojnë në Korrik të vitit të ardhshëm.
Anomalitë e dhëmbëve në lindje janë të zakonshme tek njerëzit, por një medikament për të rritur dhëmbët do të ishte i pari në botë.
Hulumtimi, i udhëhequr nga Spitali Kitano i Institutit të Kërkimeve Mjekësore në Osaka, Japoni, synon të sjellë një ilaç terapeutik për pacientët të cilëve ju mungon një grup i plotë i dhëmbëve të rritur për shkak të faktorëve që lidhen me ndikimet gjenetike.
“Njerëzit me anodonti (termi mjekësor për mungesën e plotë të dhëmbëve) nuk kanë dhëmbë natyralë sepse nuk ju kanë dalë kurrë.
Dr Katsu Takahashi, kreu i departamentit të stomatologjisë dhe kirurgjisë orale në Spitalin Kitano të Institutit të Kërkimeve Mjekësore në Japoni, ka punuar për këtë inovacion që nga ditët e tij të diplomimit në fillim të viteve nëntëdhjetë. Sot ai është gati të ndryshojë përgjithmonë historinë e stomatologjisë.
“Ideja e rritjes së dhëmbëve të rinj është ëndrra e çdo dentisti,” tha ai për revistën japoneze “The Mainichi”, duke shtuar se është i bindur se do të jetë në gjendje ta bëj këtë.
Ekipi hulumtues tashmë ka stimuluar me sukses rritjen e dhëmbëve të “gjeneratës së tretë” – pas dhëmbëve të qumështit të rrumbullakët dhe më pas dhëmbëve të përhershëm të rritur – në modelet e kafshëve. Kjo me anë të ndërhyrjes në një gen të quajtur USAG-1, i cili është zbuluar si shkaku që kufizon rritjen e dhëmbëve tek minjtë.
Duke zhvilluar një ilaç me antitrupa neutralizues që bllokon veprimin e USAG-1, ekipi i Takahashi arriti të nxiste rritjen e dhëmbëve tek minjtë.
Rezultatet premtuese u publikuan në revistën shkencore “Nature” që në vitin 2021, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor global.
Një ilaç për rritjen e dhëmbëve do të ishte revolucionar, duke ofruar një zgjidhje alternative për individët që kanë humbur dhëmbët për shkak të kaviteteve të rënda ose sëmundjeve të dhëmbëve.
“Tani po punohet për përgatitjen e ilaçit për përdorim njerëzor. Dhe pasi të sigurohet siguria dhe efikasiteti i tij, fokusi do të jetë në trajtimin e fëmijëve të moshës 2 deri në 6 vjeç që shfaqin shenja të anodontisë”, raportoi Mainichi.
Dr Takahashi parashikon një të ardhme ku mjekësia për rritjen e dhëmbëve bëhet një alternativë e tretë e mundshme krahas protezave dhe implanteve, duke u ofruar individëve një shans për të rifituar dhëmbët e tyre natyralë.
A.A. Hej.al