Rendim të gjithë mbi këtë tokë të rrisim ëndrrat. Vrapojmë shpesh në kërkim të asaj që është e pamundur, sepse etja për lumturi është e pashtershme. Çdokush prej nesh ka barometrin e vet të lumturisë. Dikush e kërkon në njerëz, të tjerë në sukses, dikush në krijimin e një foleze, e të tjerë akoma, në kushedi se çfarë…
Lumturinë në jetën time më pëlqen ta ndërtoj si një kopësht; Një vend i rrethur me gjelbërim të lartë, kultivuar aty gjithëfarë ngjyrash, ku ajri në pranverë të lëshojë aromë jargavani, ku zogjtë të krijojnë strehëzën sezonale, një ngastër ku sado e vogël… të jetë oaza ku i jap formën që dua lumturisë sime.
Unë jam Elona Jacellari. Jam rritur në një shtëpi elbasanshe (kështu i quajnë në zonën time shtëpitë e përdhesës) në periferi të Pogradecit. Mami i ka dashur lulet dhe në pranverë oborri jonë ishte gjithmonë me ngjyra e aromëra. Ujitja dhe prashitja e tyre, ishte detyrë e imja. Në fëmijërië e brezit tim nuk kishte mundësi të mëdha për argëtim, ndaj këtë detyrë të familjes e kisha kthyer edhe në lojë. Më pëlqente t’u pastroja barërat e këqia luleve, me prashitjen krijoja forma rrethore rreth rrënjës, mblidhja tulla të thyera dhe dekoroja pjesët kufizuese të hapsirave ndarëse. Mbaj mend që lumturia prekte kulmin kur çelnin trëndafilat e kuq erëmirë. Mbase nuk jua çmoja shumë bukurinë, por mezi ç’prisja t’ju shkulja petalet e t’i bëja limonatë. Atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por kopështi im ishte mikrobota ime, ishte ajo farëz që u mboll në fëmijëri dhe lulëzoi disa dekada më pas.
Ku rritesh dhe jetës ja provon të gjitha: suksesin, pengesat, dashurinë, zhgënjimin, arritjet, pastaj brrylat, ditët e bukura, por edhe hidhërimet, vjen një moment që e kupton se lumturinë, nuk mund t’jua lesh rrethanave, e as njerëzve që ti çmon më shumë. Aty kupton se për të gjetur momentet e tua të lumtura, të duhet të krijosh “kopështin” tënd; një vend të sigurt e të qendrueshëm, aq sa gjuhët e zjarrnajës së jashtme të mos e prekin dot atë mikrobotë.
Mikrobota ime, ka qenë gjithëmonë shpëtim-shërimi im nga çdo shuplakë e jetës. Në faza të ndryshme, kam kultivuar aty, gjithmonë një lule të re. Kështu më pëlqen t’i quaj pasionet, lulet e mia. Të rris nga një të ndryshme për çdo stinë të jetës, ka qenë mënyra sesi kam zgjedhur të shëroj humbjet, zhgënjimet, lëndimet…
E adhuroj gazetarinë, profesionin tim, që në 20 vite pune në televizion dhe revistë më ka bërë njeriun më të pasur (jo nga xhepat). Në këtë rrugëtim dy dekadash, më është dukur se kam ecur përmes një galerie njerëzore, personazhe që më kanë frymëzuar e rritur, por edhe nga ata prej të cilëve kam kuptuar sesi nuk duhet të jem. Në këtë rrugëtim, gjithëherë kam mbjellë nga një ‘lule’, sepse ashtu si në një kopësht, jeta s’mund të qendrojë në lulëzim të plotë vetëm me një syresh. Krahas gazetarisë, kam prekur muzikën, pikturën, kërcimin, jogën, punimet me dorë…derisa një ditë, në shtëpitë time të dikurshme, një vilë 3-katëshe në periferi të Tiranës, u zgjova me dëshirën për të krijuar një ortikopësht, me lule dhe perime. Pas kopështit erdhi dhe një faqe e vogël në Instagram ‘kopshtielonës’, ku me një pasion të pamatë për tokën dhe bujarinë e saj, ndërtova oazën time të lumturisë. “Kopshti i Elonës” u bë një vend i vogël, I mbushur plot me prodhim e lulëzim dhe aq më mjaftonte, që në 200 m2 të gjeja vendin tim idilik të arratisë. Kultivova aty edhe luledielli, një ndër krijesat e mrekullueshme të natyrës. E veçoj nga të tjerat sepse ka bukuri të përsosur me një gjeometri sakrale në rradhët e farave të saj, dhe mbi të gjitha e adhuroj sepse me kokën e përkulur ajo rrugëton në ciklin e ditë-natës, duke ndjekur dritën.
Por, një ditë e humba ngastrën e kopshtit tim, ashtu siç shpesh humbasim gjëra materiale të kësaj bote. E trasferova, kopshtin tim në një ballkon të vogël, ku rishtaz nuk munguan as perimet. Patjetër, që trajta e “Kopshtit të Elonës” ndryshoi, u tkurr. Mungonte aroma e tokës dhe bollëku i kultivarëve, por gjithësesi unë e krijova një kopësht të ri, sepse askush, asgjë e asnjë rrethanë, nuk mund të jetë penguese për të krijuar ‘tokën e lumturisë’, pavarësisht hapsirave.
Pasionet e mia, janë bekimi im. Mjafton të mbjellësh një herë farën e tyre, dhe në cdo stinë ku natyra ripërtërin vete, ajo është aty, gati për ta ujitur e rritur përsëri. Dhe e dini se çfarë ndodhi me farën e kopshtit tim që pati shumë pak cikle lulëzimi? Ajo më solli një kultivar të ri në kopështin e jetës sime, një pasion të ri, që po e shndërroj në një profesion të ri.
Sapo kam përfunduar vitin e parë të studimeve master profesional në degën e Arkitekturës së Peizazhit pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. (Në vijim, në këtë blog do flasim dhe do e zhvillojmë më shumë këtë fushë).
U riktheva në auditor pas gati 23 vitesh. Pas 20 viteve punë në media, zgjedhja e re ishte një kthesë 180 gradë. Kujtoj ditën e parë duke ecur në korridorin e gjatë, në kërkim të sallës 102. Me laptop në dorë dhe pallto të gjatë, shefi i departamentit pretendoi se isha asistent-pedagogia e re. Isha thjesht një studente që ethshëm priste të zbironte auditorin, të cilin e gjeta plot me vajza të reja, të patën 18 vjet më të vogla se unë, ndërsa petagogun, sigurisht edhe ai disa vite me i ri në moshë, e pretendova edhe atë një student. Realitet i pëmbysur, por në vend që të më bënte të ndihesha çuditshëm, më entuzazmoi pamasë. Me këtë notë kënaqsie e nisa dhe e mbarova atë vit të parë studimesh master, duke bërë shok e shoqe çdo student të klasës, por edhe petagogët.
E pra, të rendësh pas pasioneve, nuk ka limite, mjafton të kesh guximin për të provuar dhe t’i duash ethshëm të gjitha impulset që të shtyjnë të hapësh dyer të reja në jetë. Pas çdo dere gjen një “kopësht”, në mos një kopësht, një ngastër kur mund të ‘mbjellësh” dëshirat e tua. E këtë dëshirë më të fundit (arkitekturën e peizazhit) që kam nisur ta rris si një kultivar të çmuar, dua ta zhvilloj e ndaj me ju në këtë blog, për t’i dhënë më shumë zë mundësisë, sesi transformimi i hapsirave tona ku jetojmë: një ballkon, oborr apo park, mund të na e ndryshojë të gjithëve jetën. Askush nuk e do një jetë bardh e zi. Le ta “pikturojmë” me aq hapsira sa kemi, duke vënë në të ngjyrat që duam, lulet që duam.
Me personazhe, këshilla, ide për kopshtarinë, ky blog do të jetë një mundësi për ta zbukuruar më mirë jetën. Të mbjellësh një farë, nuk të jep vetëm kënaqsinë e të pasurit një bime apo fryti. Ajo që është proces, që të bën të prekësh mrekullinë e zhvillimit të jetës, i gjithi për t’u shijuar e për të mësuar në çdo fazë. Uroj ta shijosh edhe ti lexues i nderuar, sadopak i apsionuar pas natyrës dhe kopshtarisë, duke mësuar edhe gjëra të reja rreth tyre në këtë blog.