Të mbash veten të shëndetshëm do të thotë të bësh pyetje dhe zgjedhje të mira: A është çaji më i mirë sesa kafeja? A janë karbohidratet të mira? Dhe më e rëndësishmja… a është sheqeri kaf më i mirë se ai i bardhë? Disa njerëz duket se e kanë krijuar bindjen se sheqeri kaf është më i mirë për shëndetin. “Njerëzit më thonë gjatë gjithë kohës se shtojnë dy lugë çaji sheqer kaf në kafenë e tyre në vend të sheqerit të bardhë, kështu që është në rregull”, thotë dietologia nga Bruklin, Shira Sussi. Në teori ndoshta kjo është një zgjedhje më e mirë, por në të vërtetë jo! Në fakt, nuk është se keni bërë dicka ndryshe, është thuajse njësoj sikur të kishit shtuar dy lugë çaji sheqer të bardhë në kafenë tuaj.”
Ekzistojnë dy lloje të sheqerit kaf: sheqer kaf fabrike i njohur si sheqer kaf rafinerie, që është sheqer i bardhë i veshur me një shtresë të hollë shurupi ose melase. Është edhe sheqeri kaf natyral, i cili ruan lëngun natyral të kallamit. Në varësi të mënyrës si është përftuar, sheqeri kaf ka përqindje të ndryshme të saharozës, glukozës, fruktozës, mineraleve dhe ujit. Shijet dhe teksturat e tyre janë të ndryshme gjithashtu. Sussi thotë se sa më i errët të jetë sheqeri, aq më e fortë është shija. Por të gjitha janë praktikisht e njëjta gjë kur bëhet fjalë për mënyrën se si ndikojnë në shëndetin tonë.
“Kur bëhet fjalë për krahasimin e sheqerit të bardhë dhe kaf, të dy janë pothuajse identikë nga pikëpamja e të ushqyerit. Sheqeri i bardhë është më i përpunuar pasi ka melasën të hequr plotësisht, ndërsa sheqeri i kaf është rezultat i ndalimit të procesit të prodhimit pak më herët, dhe në të ka mbetur një sasi e vogël melase. Pra është njësoj me sheqerin e bardhë por me një shije dhe ngjyrë pak më të thellë.
Sa më pak përpunim të ketë sheqeri kaf aq më shumë ruan sasi të mineraleve si kalciumi dhe kaliumi, ndërsa sheqeri i bardhë është saharozë e pastër pa vitamina apo minerale. Ndërsa sheqeri kaf natyral është më i shijshëm, në këtë mënyrë mund të shtoni një sasi më të vogël. Udhëzuesi dietik i SHBA-së rekomandon jo më shumë se 50 gram sheqer në ditë, pavarësisht se çfarë lloji përdorni.