Jo rrallë herë e lidhim një kupë ramen me adoleshentët apo studentët të cilët e preferojnë shumë recetën e shijshme aziatike me petë dhe lëng mishi, pasuruar në mbushje me mish derri të pjekur, peshk, fidanë bambuje apo vezë të ziera. Ky kombinim ka një aromë karakteristike të pëlqyeshme.
Në të gjithë botën, gjatë viteve të fundit është rritur shumë numri i restoranteve që ofrojnë këtë pjatë të shijshme. Vetëm në Amerikë është rritur me më shumë se 30%, kështu që ka të ngjarë që ta shijoni këtë ndjesi aziatike afër shtëpisë tuaj.
Sipas historianit dhe ekspertit të ramenit, George Solt, emigrantët kinezë sollën fillimisht recetën e ramen në Japoni. Në librin e tij, “Historia e patreguar e Ramenit”, ai tregon për një studiues nga Kina gjatë shekullit të 17-të, i cili i kërkoi feudalit japonez për të cilin punonte të shtonte mish derri dhe perime në supën e tij.
Në vitin 1910, u hap restoranti i parë i ramenit në Japoni, Rai Rai Ken, në Tokio. Në japonisht quhej shina soba (shina është një fjalë arkaike japoneze për “Kinë”, ndërsa soba janë petë të holla hikërrore). Por shqiptimi japonez i lamian, fjala kineze për petët e grurit të butë, evoluoi në “ramen” -in e sotëm.
Lufta e Dytë Botërore ndërpreu popullaritetin e pjatës, pasi mungesa e ushqimit e bëri qeverinë japoneze të ndalonte “ushqimet luksoze”, duke përfshirë edhe ramen. Në vitin 1945, kur filloi pushtimi shtatëvjeçar i Japonisë nga aleatët, korrja më e keqe e orizit në dekada shkaktoi uri të gjerë. Nga frika se mungesa e ushqimit mund të tjetërsonte popullsinë dhe t’i çonte ata të shkonin drejt komunizmit, pushtuesit amerikanë filluan të importonin grurë amerikan në Japoni.
Kjo recetë njohu edhe një herë kulmin e saj. Për herë të parë filloi të shërbehej në rrugë, ku vendoseshin tezga për t’ia shitur pjatën e shijshme dhe të përballueshme popullatës së uritur.
Në vitin 1958, një biznesmen tajvanez i quajtur Momofuku Ando krijoi një version të dehidratuar të ramenit që kërkonte vetëm shtimin e ujit të valë. Në vitet 1970, receta mbërriti në SHBA në gota stiropor me emrin Cup O’Noodles. (Në vitin 1993, kompania hoqi O’, kështu që tani emri zyrtar është Cup Noodles.) Versioni i amerikanizuar kishte petë më të shkurtra që mund të haheshin më lehtë me lugë, krahasuar me shkopinjtë tradicionalë.
Sot ka dy muze në Japoni kushtuar krijimit të Andos dhe emri i tij frymëzoi kuzhinierin e famshëm koreano-amerikan, David Chang, të themelonte Momofuku Noodle Bar në Manhattan. Restoranti i Chang-ut, një shitës i hershëm i ramenit, ndihmoi në ndryshimin e perceptimit të pjatës nga një bazë e lirë, e parapaketuar në një trajtim kompleks dhe të këndshëm që shërbehet në amnjent elegant.
Mund të zgjidhni Ramen që përgatitet me katër shije të ndryshme: shoyu (e cila është me bazë salcë soje), miso (e bërë me pastë soje të fermentuar), shio (ose “kripë”, shpesh me bazë pule ose peshku) ose tonkotsu (e pasur dhe yndyrore, e bërë nga mishi i derrit). Lëngu i kripur është ai që i jep Ramen umami-n e tij të shijshme, një shije aq të vecantë.
Tokio mbetet kryeqyteti i ramenit në botë, me mbi 10,000 dyqane ramen.