A ju ka ndodhur të harroni ku i vendosët çelësat e makinës apo datën e lindjes së një personi të afërt?
Herën e fundit që unë dhe bashkëshorti dolëm për një darkë elegante në restorant, kamarieri erdhi në tryezën tonë dhe filloi të recitonte një listë të gjatë specialitetesh, me përshkrime të hollësishme se si bëheshin pjatat dhe ku ishin marrë përbërësit. Recitimi i tij vazhdoi e vazhdoi, dhe ndërsa ai fliste, unë u bëra më shumë kurioze sesi ai mund t’i mbante mend të gjitha ato përshkrime, sesa cfarë do të zgjidhja të haja atë vakt. Ndërkohë nga ana tjetër mua nuk më kujtohej se ku i kisha vendosur çelësat para se të niseshim për në restorant.
Lajmi i mirë është se edhe nëse nuk kujtoheni se ku i keni vendosur çelësat kjo nuk është një shenjë se po fillojnë problemet me trurin. Dhe nga ana tjetër, të mbani mend një listë të gjatë të specialiteteve të restorantit nuk është domosdoshmërisht një shenjë e aftësisë së jashtëzakonshme mendore. Kujtesa është shumë më e ndërlikuar se sa mund të tregojnë këta dy shembuj.
Shumica prej nesh janë të tmerruar nga zhvillimi i demencës dhe sipas statistikave rreth 10% e të rriturve mbi moshën 65 vjeç do të preken nga Alzheimer. Sigurisht që zhvillimi i një gjendje neurodegjenerative si Alzheimer nuk është ajo që ne e konsiderojmë plakje të shëndetshme dhe normale. Ndërsa disa humbje të kujtesës janë normale teksa njerëzit plaken por ato nuk duhet të ndikojnë në cilësinë e jetës tonë. Me kalimin e viteve shpejtësia e përpunimit të informacionit bie prandaj ndodh që të në të përditshmen të harrojmë fjale apo ta kujtojmë me shumë vonesë. Gjenetika, historisa familjare luan një rol në rrezikun e problemeve të kujtesës, po ashtu ndikojnë edhe faktorë të tjerë. Truri mund të jetë vendi ku ruhen kujtimet, por ai nuk ekziston në vakum. Shëndeti dhe efikasiteti i trurit varen shumë nga shëndeti i përgjithshëm i trupit. Për ta thënë shkurt: Ajo që është mirë për trupin është e mirë për trurin. Stili i jetës ndikon në mprehtësinë e trurit dhe cilësinë e kujtesës.
Kushtet mjekësore
Truri kërkon një furnizim të pasur me gjak për të ofruar lëndët ushqyese dhe oksigjenin që i nevojitet. Pra, shëndeti kardiovaskular – shëndeti i zemrës dhe enëve të gjakut – është thelbësor.
Hipotiroidizmi është një gjendje tjetër mjekësore që mund të shkaktojë një ngadalësim të përkohshëm të të menduarit. Tiroidja është një lloj “portieri” për të gjitha funksionet metabolike. Nivelet e ulëta të hormoneve tiroide mund të ndikojnë në kujtesën dhe përqendrimin, dhe i bëjnë njerëzit të ndjejnë se kanë “mjegull truri”.
Dy kushte të tjera mjaft të zakonshme që ndikojnë potencialisht në kujtesë janë dehidrimi, cka mund të shkaktojë probleme të përkohshme të kujtesës duke kufizuar rrjedhjen e gjakut në tru. Dhe mungesa e vitaminës B12 mund të rezultojë në humbje të përkohshme të kujtesës ose probleme të tjera, pasi vitamina ndihmon në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe kjo mungesë kufizon shpërndarjen e oksigjenit në tru.
Trajtimi i ndonjë prej kushteve të mësipërme që mund të jetë diçka e thjeshtë si pirja e më shumë ujit gjatë ditës për të parandaluar dehidratimin, ose marrja e ilaçeve për tiroide ose suplementet B12 – mund të rivendosë funksionin e kujtesës.
Ankthi dhe depresioni pengojnë funksionimin e mirë të trurit. Nivelet e serotoninës, një hormon i trurit, ulen, duke ndikuar në vëmendje dhe kujtesë.
Medikamentet
Vështirësia e njohjes apo probleme me kujtesën është një nga efektet anësore më të zakonshme të ilaçeve. Mund të shkaktohet nga një ilaç i vetëm ose nga disa ilaçe së bashku kështu që është e rëndësishme të lexohen me kujdes etiketat. Nëse jeni të shqetësuar për dëmtime të kujtesës duhet të bisedoni menjëherë me mjekun tuaj, problemi i kujtesës i shkaktuar nga mjekimi është zakonisht i kthyeshëm, që do të thotë se kur të ndaloni marrjen e ilaçeve kujtesa juaj duhet të kthehet në normalitet.
Alkooli dhe kanabisi
Përdorimi i rregullt i alkoolit dhe/ose kanabisit mund të shkaktojë rrëshqitje njohëse, duke përfshirë probleme me kujtesën, veçanërisht te njerëzit e moshuar.
Stresi
Stresi mund të krijojë një gjendje inflamatore dhe të ndikojë në kujtesë, prandaj menaxhimi i stresit është i rëndësishëm. Stresi e vërshon sistemin me hormone dhe kjo gjendje nuk është e favorshme për të menduarin e qëllimshëm apo kujtesën.
Shumë strese të vogla që krijohen çdo ditë, mund të ndikojnë gjithashtu në tru. Meditimi, joga, angazhimi social, telefonimi ose dërgimi i mesazheve me një mik për mbështetje emocionale – çfarëdo që mund të bësh për të dalë nga ajo luftë-ose -gjendje është me vlerë.
Mënyra të tjera për të qëndruar të mprehtë
Pra, në përgjithësi jeni të shëndetshëm dhe i keni zgjidhur shumë nga situatat e mësipërme, por ende nuk ndiheni aq të mprehtë sa do të dëshironit. Keni harruar emrin e dikujt që e kishit takuar më parë. Ose ndoshta jeni lodhur duke kërkuar përsëri syzet tuaja. Quajeni mjegullën e trurit, trurin pas COVID ose thjesht shpërqendrim të përgjithshëm … sido që të jetë, ju dëshironi që kujtesa juaj të kthehet në normalitet.
Daniel Schacter, PhD, profesor i psikologjisë në Universitetin e Harvardit dhe autor i “Shtatë mëkatet e kujtesës: si mendja harron dhe kujton”, shpjegon se ka tre arsye që njerëzit harrojnë gjërat: “Njëra është kalueshmëria, tendencë e natyrshme që kujtimet të zbehen me kalimin e kohës. Një tjetër është mungesa e vëmendjes – nëse nuk jeni vërtet të fokusuar në atë që po bëni, nuk e kodoni kujtesën për ta mbajtur mend më vonë. Dhe e treta është bllokimi, kur informacioni është i disponueshëm dhe ju po i kushtoni vëmendje, por jeni i bllokuar. Sipas tij ka një zgjidhje të ndryshme për adresimin e secilit prej këtyre problemeve.
Për kalim
“Një nga gjërat më të lehta që mund të bëni është thjesht të përpiqeni të përfshiheni në atë që njerëzit në fushën tonë e quajnë praktikë rikthimi. Marrja e një kujtimi dhe të treguarit në të tashmen është një nga mënyrat më efektive për ta bërë atë të zgjasë me kalimin e kohës”. Ai e krahason atë me rishikimin e fotove pasi shkoni në pushime: “Ju po riaktivizoni përvojat dhe po forconi kujtesën tuaj për to”.
Schacter përshkruan një studim që krahason një grup njerëzish të cilëve iu kërkua të lexonin një histori dhe u tha se do të bëhej një test për të më vonë me një grup tjetër njerëzish të cilëve iu kërkua ta lexonin historinë tre herë, por nuk u tha se do të kishte një test. Rezultati: Njerëzve që u thanë se do të testoheshin e kujtuan historinë shumë më mirë më vonë.
“Ju nuk keni nevojë për një testues të jashtëm,” thotë Schacter. “Ju mund të testoni veten. Për shembull, nëse sapo jeni prezantuar me dikë dhe dëshironi të mbani mend emrin e tij, sillni në mendje emrin, pastaj prisni pak. Pastaj sillni sërish në mendje emrin dhe prisni edhe pak”, e kështu me radhë.
Për mungesën e vëmendjes
“Kjo është për ‘Ku i vendosa çelësat e mi? Syzet e mia?’ një lloj harrese”, që nuk ka lidhje me moshën… përveç se kur bëhet ekstreme deri në atë pikë sa nuk mund të funksiononi në jetën tuaj të përditshme. Për të zgjidhur këtë çështje, vini në përdorim shenjat dhe mjedisin e jashtëm.
Për shembull, caktoni një vend në shtëpi për të vendosur gjithmonë çelësat dhe syzet dhe mos i vendosni në asnjë vend tjetër përvec tij. Edhe nëse harroni takime, orare, ditë teknologjia moderne na ofron mënyra. Përdorni telefonin ose laptopin tuaj për të regjistruar datat dhe për të vendosur kujtime për veten tuaj.
Për bllokim
Bllokimi i emrave dhe fytyrave është ndër ankesat më të zakonshme të kujtesës, shqetësim që shtohet me kalimin e viteve.”Fatkeqësisht, në kohën kur ka ndodhur bllokimi, ndoshta është tepër vonë për të bërë dicka për të,” thotë Schacter. “Por ju mund të jeni proaktiv dhe të parashikoni situata ku mund të ndodhë bllokimi.”
Emrat që harrojmë janë zakonisht njerëz me të cilët jemi njohur, por nuk i kemi parë kohët e fundit ose nuk i shohim shpesh. “Pra, nëse e dini se do të shkoni në një festë dhe do të shihni shumë njerëz me të cilët jeni njohur, por nuk i keni parë për një kohë të gjatë, përpiquni të zbuloni paraprakisht se kush do të jetë atje dhe rishikoni emrat .”
Gjëja që duhet mbajtur mend në lidhje me kujtesën është se ka shumë faktorë të ndryshëm që e dëmtojnë… dhe po aq mënyra për ta fuqizuar. Merrni njohuri të reja, kujdesuni për trupin tuaj dhe ushqehuni në mënyrën e duhur.
“Sa për mua, tani jam duke marrë një kurs spanjisht, përpiqem të stërvitem shumë dhe t’i mbaj gjithmonë çelësat në të njëjtin vend. Po mundohem të ndjek edhe pak dietën MIND. Por nuk kam hequr dorë ende nga çokollata dhe refuzoj të besoj se nuk është ushqim për trurin!”
hej.al