Aktorja e njohur Hollywood-iane Julia Roberts, mbërriti në kryeqendrën e Lombardisë për të marrë pjesë në sfilatën e Gucci-t, gjatë “Milan Fashion Week SS 2024″, e cila shënoi debutimin e drejtorit të ri kreativ, Sabato De Sarno, i zgjedhur për të zëvendësuar ish-disenjatorin, Alessandro Michele.
Shfaqja e parë e “epokës De Sarno” ndau komunitetin e modës në dy kampe: ata që vlerësuan drejtimin e ri minimalist, rigoroz dhe më linear se stili barok me të cilin na kishte mësuar Alessandro Michele, dhe ata që u ankuan për thjeshtësinë e tepërt. Megjithatë duke lënë mënjanë polemikat, sfilata e shumëpritur mblodhi së bashku shumë VIP-a, si: Jessica Chastain, Ryan Gosling, Sabrina Impacciatore, Poppy Delevingne, Hailey Bailey, modelet Kendall Jenner, Vittoria Ceretti dhe Daria Werbowy.
Ylli më i shumëpritur dhe i fotografuar i eventit ishte Julia Roberts, e cila magjepsi publikun me bukurinë, stilin e saj të rafinuar dhe elegancën klasike, një ikonë që përfaqëson më së miri kursin e ri të zgjedhur nga Maison Gucci dhe drejtori Sabato De Sarno.
Julia Roberts kishte veshur një kostum Gucci në ngjyrë gri qymyri, i përbërë nga një xhaketë sportive me kopsa të dyfishta dhe xhepa anash dhe një palë pantallona të shkurtra Bermuda.
Për të kompletuar look-un e saj, ajo kishte zgjedhur një krehje shumë natyrale me onde. Aktorja mbante veshur një palë slingback të zinj, një model këpucësh i domosdoshëm i propozuar edhe në pasarelën e sivjetshme të Gucc-it./Hej.al