(Foto: Rubini, i quajtur Estrela de Fura, është përshkruar si “jashtëzakonisht i rrallë”).
Një rubin 55,22 karatësh është bërë perla më e madhe dhe më e vlefshme e këtij lloji që është shitur ndonjëherë në ankand, duke fituar 34,8 milionë dollarë.
Guri doli nën çekiç në Nju Jork në Qershor, më pak se një vit pasi firma kanadeze Fura Gems e zbuloi atë në një nga minierat e kompanisë në Mozambik. Ai u emërua Estrela de Fura – ose Ylli i Furës në gjuhën zyrtare të Mozambikut, portugalisht.
Edhe pse shitjet rekord të gurëve të çmuar dominohen nga diamantet – ato me ngjyra, në veçanti – rubinët konsiderohen gjithashtu ndër gurët e çmuar më të rrallë dhe më të vlefshëm në botë. Rekordi i mëparshëm i ankandit për një rubin u vendos nga Sunrise Ruby, një gur 25,59 karatësh i gjetur në Myanmar që arriti në 30,3 milionë dollarë në Gjenevë, Zvicër, në 2015.
Estrela de Fura u pre nga një gur i ashpër që bëri bujë kur u zbulua nga minatorët korrikun e kaluar. Fillimisht me peshë 101 karat, pothuajse dy herë më shumë se në formën e tij aktuale, ai ishte rubini më i madh me cilësi të çmuar i zbuluar ndonjëherë.
Guri i madh u pre në një formë më të vogël simetrike dhe u lëmua, procese që heqin papastërtitë dhe përmirësojnë ngjyrën dhe shkëlqimin e një guri të çmuar përpara se të hidhet në treg. Sipas Sotheby’s, një raport nga Instituti Zviceran i Gemologjisë tha se kjo “kishte rezultuar në nuanca të kuqe të gjalla për shkak të reflektimeve të shumta të brendshme”.
Në një deklaratë, themeluesi dhe CEO i Fura Gems, Dev Shetty, tha se gurët e një madhësie dhe cilësie të tillë janë “pothuajse të padëgjuara”.
Estrela de Fura ishte ndër gurët e zbuluar nga rajoni. Sotheby’s e përshkroi atë si posedimin e “qartësisë së jashtëzakonshme” dhe një ngjyrë të kuqe të errët të njohur si “gjaku i pëllumbit” – një nuancë e lidhur më tradicionalisht me rubinët burmezë shumë të kërkuar.
Hej.al