Nga Lira Gjika
Kur një fëmijë, në veçanti fëmija që sapo ka filluar klasën e parë, bën një vizatim apo detyrë dhe papritur e shkarravit, prindi apo mësuesi, duhet të ndërhyjë me qetësi dhe ta ndalojë. Ata duhet ti shpjegojnë se ajo që ai ka vizatuar apo realizuar është punë dhe nuk duhet prishur. Nuk duhet prishur, sepse tregon se sa shumë është rritur. Disa ditë më parë nuk e bënte dot, ndërsa tani arrin ta realizojë edhe pse ende ashtu siç dëshiron. Fëmija di një gjë me siguri, që nuk është i zoti t’i bëjë gjërat siç i bën i rrituri.
Kjo gjë e trishton dhe e bën të ndihet i pazoti. Kundër kësaj ndjesie, i rrituri, sidomos profesionisti, duhet të ndërhyjë me takt dhe inkurajim që fëmija të mund të ndërtojë besimin te vetja. I rrituri mund t’i tregojë eksperiencën e tij, pasi edhe ai ka kaluar nga kjo rrugë. Ky tregim e inkurajon fëmijën dhe e bën më të sigurt në rrugën e vështirë, por edhe shumë të dëshiruar të rritjes dhe të bërit i zoti i vetes.
Të realizosh me anë të dorës atë që mendon apo fantazon, është ëndrra më e madhe e një fëmije dhe i rrituri pranë tij e ka për detyrë ta ndihmojë fëmijën të pëlqejë e pranojë punën e vet dhe jo ta etiketojë apo e t’i bërtasë, siç ndodh rëndom./Hej.al