Nga Spiro Saqellari
“Doktor”, kur do të flasë fëmija im, më është bërë tani refren, dhe për të qenë i sinqertë titulli i pamerituar nuk më shkakton më bezdi si më parë. Apo më pëlqen? Nuk e besoj, por meqë prindërit insistojnë të më quajnë të tillë, mjaftohem tani vetëm duke u thënë fëmijëve të tyre që mami apo babi nuk u ka thënë të vërtetën kur u ka thënë se do shkojmë tek doktori: – se ja, siç më shikon dhe vetë, unë nuk ngjaj fare me xhaxhi doktorin; nuk kam as bluzë të bardhë si ai… dhe ja në vend të stetoskopit kam lapsa e libra.
Çudi, pas këtyre sqarimeve të gjithë fëmijët më thonë xhaxhi Spiro, ndërsa prindërit vazhdojnë në të tyren “Doktor që Doktor”. …E po meqë duan, le të më quajnë si të duan. E rëndësishme është të kuptojnë kur do të flasë fëmija i tyre.
Pra vërtet, kur do të flasë ai?
Atëherë kur do të jetë i dëshiruar që në mendje e në bark të nënës;atëherë kur do të lumturohesh që u bëre prind dhe nuk do të “qahesh” se deshe djalë dhe jo vajzë;atëherë kur me ardhjen e tij në shtëpi do të mendoni që ai ambient është tashmë dhe i tij; ndaj duhet përshtatur dhe për të;atëherë kur, në krah apo në krevat, do t’i flisni për çka e rrethon;atëherë kur ai do të vejë zvarr dhe me këmbët e tij më vonë të vizitojë ato çka parë;atëherë kur të gjitha këto do t’i prekë, nuhasë, shtyjë, tërheqë, hedhë dhe presë;
atëherë kur ju i keni dhënë qetësi, besim mundësi;atëherë kur edhe pse foshnjë ju e keni konsideruar si të barabartë;
atëherë kur keni ndjekur ritmin e tij të zhvillimit dhe nuk i jeni imponuar atij.
Atëherë, po.
Të jeni të bindur, se ai do të flasë!
/hej.al