Ikona e përjetshme me stilin e adhurueshëm, vazhdon të mahnisë botën edhe sot, gati 26 vjet nga vdekja e saj. Falë serialit të njohur “The Crown”, Diana vazhdon të përflitet, teksa stili i saj legjendar i veshjes nuk del kurrë nga moda. Lajmi i fundit në lidhje me këtë është shitja e një prej fustaneve ikonë të Diana-s, i cili i tejkaloi pritshmëritë për shitjen dhe i bashkohet kësisoj listës së gjatë të veshjeve më të dëshiruara në gardërobën e saj.
Një fustan i gjatë, i stilistit marokeno-britanik Jacques Azagury, i nxjerrë në ankand nga Julien’s Auctions, i shoqëruar me skicën origjinale, për çmimin rekord prej 1,148,080 dollarë. Identiteti i blerësit nuk dihet, por dihet se fustani është veshur dy herë nga Lady Diana.
Në fakt, ajo e veshi atë në Firence gjatë një udhëtimi në Itali në prill 1985 dhe një herë tjetër gjatë pjesëmarrjes në një performancë të Orkestrës Simfonike të Vankuverit në Kanada në vitin 1986.
Fustani është fjalë për fjalë një vepër arti. I përbërë nga një bust i zi prej kadifeje me mëngë të gjata dhe rripa në supe, ai është i qëndisur me yje të punuara me fije metalike. Busti bashkohet me një fund balerine në ngjyrë vjollcë me shkëlqim, me pala dhe një fjongo të madhe në të.