Dhjetori është më i privilegjuari nga të gjithë muajt e tjerë të vitit. Që në ditët e tij të para, kudo ndizen dritat dhe shpirti ndriçohet e ngrohet papritur sikur një pjesë e tij të kishte pritur gjithë vitin këtë çast. Vitrinat zbukurohen, globet nxirren nga kutitë, mendja nis e mendon për dhurata dhe kushdo, këtë muaj, merr lejen për t’u sjellë si fëmijë. Gjithçka lejohet. Bluzat me motive, veshët e drerëve mbi kokë, ëmbëlsirat… është dhjetor, festat kanë ardhur.
Ne do t’ju propozojmë një variant më elegant për drekën e Krishtlindjes. Ngjyra e kuqe krijon menjëherë atmosferën dhe nuk teprohet asnjëherë me të, por mund të kombinohet me nuanca natyrale gjethesh dhe frutash dimri. Qirinjtë janë të këshillueshëm më shumë se kurrë, edhe ata të kuq ose të bardhë.
Mund të përdoren pjata më të mëdha të dekoruara poshtë pjatës dhe pecetat të kapen me një kapëse ku mund të përdorni fantazinë tuaj, t’i zbukuroni me rruaza apo degëza lulesh.
Zbukurimet e tryezës duhen vendosur që në fillim në qendër të saj dhe të mos jenë shumë të lartë, në mënyrë që mos të pengojnë shikimin. Lulet e Krishtlindjes janë alternativa ideale e zbukurimit, gjenden lehtë dhe kanë efekt.
Po mos harroni asnjëherë një detaj shumë të rëndësishëm: asnjëherë në tryezën festive nuk duhet të mungojë një degëz rozmarine.