Sezonit artistik në Teatrin Metropol solli për herë të parë në shqip kryeveprën e Uilliam Shekspir. Klea Konomi, në rolin e njërës prej motrave dhe vajzave të mbretit Lir, përfaqësoi një karakter të thellë psikologjik që luhatet mes ambicies dashurore dhe asaj për pushtet.
E ftuar në Livingroom nga Brunilda Lahe në VizionPlus këtë të shtunë Klea foli jo vetëm për rolin dhe karierën e saj në teatër, por edhe për jetën dhe kujtimin e nënës së saj, aktores së njohur shqiptare Hajrie Rondo.
“Dashuria për teatrin ndoshta më ka lindur prapa kuintave kur ndiqja gjithmonë që e vogël nga pas nënën time. Aty ka lindur dashuria për skenën dhe teatrin. Ajo, ka qenë ambienti në përgjithësi ku ti rritesh e formohesh. Duke qenë pas saj, duke parë ambientin e punës, gjërat rrjedhin vetvetiu.
Ishin profesorët e Akademisë ata që më mbështetën dhe më nxitën të ecja përpara në studimet e aktrimit si dhe panë talentin për të vazhduar karierën teatrale, aty ku jam ende edhe sot.
Të punosh pranë Viktor Zhustin në skenën e teatrit në veprën e Mbretit Lir është një shkollë më vete. Ti mëson shumë nga roli i tij, nga karakteri teatral, nga energjia që ai di ti përcjell skenës. Eksperienca me aktorin Viktor Zhusti ka qenë e jashtëzakonshme për të gjithë ne.”u shpreh Konomi./hej.al