Nga Malvina Tare
TikToku është burimi i ri që injoranca ka në dorë të të fyej, të të shantazhoj, të të dhunoj dhe këtë e bën pa frikën më të vogël. Sepse mungojnë rregullat verbale të komunikimit online, nuk ka asnjë gjobë a polic të të ndaloj veprimtarinë tënde online edhe kur ajo ka qëllime dashakeqe. Të shumtë janë zërat që po kërkojnë mbylljen e platformës së TikTok-ut, ndalimin e saj në Shqipëri. E nga ana tjetër shumë thonë se ndalimi i saj nuk do mundet të rregullojë këtë dramë të re që po lulëzon në shoqërinë tonë online.
Media online dhe interneti në masë është si një armë në dorën e të gjithëve, ku disa qëllojnë pa rreshtur deri në mosngopje me kërcënime, shantazhe, dhunë e fyerje. Dhunën verbale e sheh kudo në komentet e Instagramit, Facebookut dhe çdo platforme tjetër që përdoret nga njerëzit.
Por, TikToku duket se ka marrë mendjen e masës më të madhe të shoqërisë dhe shumica bien pre e dhunës që ai reklamon.
Por, a duhet ta lejojmë TikTok-un të kthehet në një platformë shantazhi publik dhe të marrë jetë njerëzish? Jetë grash? Sa gra duhet të vdesin akoma nga TikTok-u?
Ne hyjmë në vendet me mbrojtjen më të ulët dhe me sigurinë më të ulët të jetesës. Nuk ka të thotë nëse je burrë, a grua, a fëmijë, këtu kokën e ke në rrezik gjithandej. Por, gratë mbeten viktima e forcës mashkullore, ende sot, si në shoqëritë primitive.
Shqiptarët që pijnë puro dhe verë, bëjnë pushime në Dhërmi dhe janë shumë të ndjekur në TikTok, ende rrahin gratë, i shantazhojnë e i dhunojnë.
E megjithatë, nga këtej e tutje nuk duhet të merremi më me të sharë apo dënuar burrat, por duhet të nisim të vendosim përpara përgjegjësisë dhe gratë, duke mos lejuar të bien pre e situatave ku në fund dalin viktima të tyre. T’i ndihmojmë të dalin nga gjendja ku ndodhen. T’u mësojmë të kërkojnë ndihmë.
Sepse kjo injorancë e thellë që mbizotëron në shoqërinë tonë, largohet vetëm me shumë punë dhe libra, jo me TikTok dhe interent pa limit. /hej.al